Federata e Ragbit e Kosovës është një nga federatat partnere në projektin e Komitetit Olimpik të Kosovës, të mbështetur me grant në vlerë rreth 497 mijë euro nga Regional Challenge Fund (RCF).
Projekti, i zhvilluar në partneritet me federatat e ragbit, volejbollit, karatesë dhe hendbollit, synon pajisjen e një laboratori modern për testimin, analizimin dhe përmirësimin e performancës së sportistëve.
Në ceremoninë e katërt të ndarjes së granteve për Kosovën, të mbajtur në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë, çmimin në emër të KOK-ut e pranoi Fitim Arifi, drejtor i Akademisë Olimpike të Kosovës dhe udhëheqës i projektit. Federata e Ragbit e Kosovës u përfaqësua nga Marc Barret dhe Evzi Hani.
Laboratori do të mbështesë gjithashtu edukimin e kuadrove në kuadër të programit “Trajner Sportiv”, duke lidhur njohuritë teorike me punën praktike dhe metodat bashkëkohore të vlerësimit të performancës.
Federata e Ragbit e Kosovës e mirëpret këtë investim të rëndësishëm, i cili do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe shkencore në sportin kosovar, si dhe në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e trajnerëve dhe sportistëve.




26 tetor 2026
Federata e Ragbit e Kosovës






